Pronari ka një arsye banale pse nuk regjistroi kamionin

Një nga personat që qëndron prapa disa bizneseve mirë të njohura në vend, momentalisht ndodhet prapa grilave, nën dyshimet se nuk e kishte regjistruar kamionin që doli nga kontrolli e shkaktoi ngjarjen tragjike të shtatë marsit në Gjilan ku mbeti një person i vdekur, e u lënduan dhjetëra të tjerë. Para prokurorisë, pronari i VEV Group, V. Tigani ka pranuar se nuk ka regjistruar kamionin për t’i ikur tatimit, duke u arsyetuar se të njëjtit ja kishte kryer kontrollet e nevojshme

Për më shumë se dy vite, një nga kamionët që përdorej për shpërndarje të mallit nga kompania VEV Group qarkulloi pa qenë i regjistruar. Njëjtë kishte ndodhur edhe më 7 mars, kur një nga shoferët e kompanisë, Mustafë Avdija nga Peja, kishte shkuar për të shpërndarë ujë të kompanisë në Komunën e Gjilanit, me po të njëjtin kamion të paregjistruar.

Derisa kishte kryer një porosi, e kishte vazhduar rrugën për në pjesën e cila të çon në qendër të qytetit e ku kamioni të cilin ai e voziste doli nga kontrolli dhe shkaktoi një aksident, në të cilën u përfshinë shumë vetura, e ku mbeti i vdekur edhe furrtari Qerim Çoçaj.

Policia e Kosovës menjëherë ndaloi shoferin e kamionit, e pas kësaj u bë e ditur se ishte ndaluar edhe pronari i kompanisë nën dyshimet për veprën penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.

Pas kësaj u bë e ditur se mjeti i cili po vozitej tash e disa vite nga shoferi i kompanisë po qarkullonte pa regjistrim e për këtë pronari i kompanisë V.Tigani do të flasë para drejtësisë.

Për këtë Prokuroria Themelore e Gjilanit ka angazhuar ekspertë për të bërë ekspertizën e kamionit, e siç mëson Express’i kjo ka ndodhur me datën 22, e tashmë është duke pritur rezultati.

Megjithëse kanë kaluar 20 ditë nga rasti ku mbeti i vdekur një person, disa të lënduar e u shkaktuan dëme materiale, ende po vazhdohet intervistimi i dëshmitarëve e të dyshuarve.

Duke folur për Gazetën Express, prokurorja e rastit, Rozalinda Manastiri është deklaruar se është një numër i madh i njerëzve që mund të ndihmojnë në zbardhje të rastit.

“Të premten kanë ardh e kanë kshyr i kanë ba ekzaminimet po po ekspertizë përfundimtare ende nuk kanë ardh për kamionin që shkaktoi aksidentin. Jemi duke i marrë në pyetje në vazhdimësi të të dëmtuarit, dëshmitarët e një numër të madh të njerëzve që dinë”, u deklarua ajo.
Prokuroria e Prokurorisë Themelore në Gjilan po ashtu ka konfirmuar se tashmë dihet se kamioni po qarkullonte që nga viti 2017-të pa qenë i regjistruar.

Mirëpo, një arsyetim pse kamioni i kompanisë po vozitjes pa qenë i regjistruar u dha nga avokati i të dyshuarit Tigani, Abdylaziz Sadiku.
Sadiku duke folur për Gazetën Express është shprehur se klienti i tij tashmë është marrë në pyetje, ndërkaq, ka dhënë edhe versionin e tij se pse nuk e kishte regjistruar kamionin.

“Është marrë në pyetje i dyshuari edhe vozitësi, pronari i kompanisë dhe bashkë vozitësi që ka qenë në ditën kritike me vozitësin dhe procedura është endë në zhvillim ka ende shumë prova të tjera”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka konfirmuar se prokuroria po heton edhe pjesën se pse kamioni nuk ka qenë i regjistruar, e për këtë klienti i tij ka dhënë edhe një arsyetim para prokurorisë.

“Prokuroria është duke hetuar se kamioni s’ka mujt me u regjistru. Nuk është regjistruar për shkak të disa arsyeve kanë thënë se ka qenë një barrë tatimore për atë s’kanë mujt me e pagu”, thotë avokati.

Por, çështja e regjistrimit sipas avokatit nuk ka qenë shkak i aksidentit, pasi që thotë se një gjë e tillë ka mundur të ndodhte edhe po që se i njëjti do të ishte në rregull me dokumente.

Megjithatë, V.Tigani ka deklaruar para prokurorisë, se edhe pse nuk e kishte regjistruar kamionin me të cilin punëtorët e tij shpërndanin mall të njëjtit ia kishte kryer disa kontrolle teknike.

Shoferi i kamionit e edhe pronari tashmë po qëndrojnë në paraburgim derisa prokuroria është ende duke mbledhur provat.

Arsyetimi pronarit të kompanisë që qëndron prapa disa bizneseve të njohura në vend se nuk kishte kryer obligimet për t’i ikur procedurave të pagesës së tatimit, vë dyshimet se a ka vepruar V.Tigani në kundërshtim me ligjin edhe në raste tjera.

Aksidenti i 7 marsit la të vdekur 41-vjeçarin Qerim Çoçaj që u varros një ditë më vonë në vendlindjen e tij në Has të Prizrenit.

Gazeta Express kishte sjellë rrëfimin nga Gjilani, megjithatë, pronarët që atë ditë kishin shkuar për ngushëllim nuk kishin pranuar të flasin për media./GazetaExpress

Author: Gazetavip

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *