SHPËRNDAJE

Shoqja

Sabiha Kasimati ishte 39 vjeçe kur një togë pushkatimi qëlloi mbi të pa pasur asnjë dënim me vdekje dhe asnjë vendim gjykate që e njihte fajtore. Plumbat nuk e kapën, por ushtarët e vranë me kondakët e pushkëve.

Ishte një nga 22 personat që u pushkatuan për atë që njihet si bomba e Ambasadës sovjetike. Asnjë nuk kishte faj. Sabiha Kasimati ishte shkencëtare – kishte studiuar në Itali.

Por e kishte një problem: kishte qenë shoqe klase me Enver Hoxhën dhe njihte të shkuarën e tij. Ajo u pushkatua më 22 Shkurt 1951.

Viktor Kasimati, nipi i saj, kështu flet për të.

Halla juaj është një prej 22 personave që u pushkatuan mesnatën e 26 shkurtit, pas bombës në ambasadën ruse në Tiranë. Si e mbani mend Sabiha Kasimatin, që në atë kohë keni qenë rreth 16 vjeç?

Ka qenë një vajzë e zgjuar, energjike dhe tepër prerë, nga sa kujtoj unë. Ajo nuk u martua kurrë dhe për këtë po përdor fjalën vajzë. Në ato vite të para të pasluftës, kur unë isha ende fëmijë, dëgjova në familje që hallës i ishte ofruar një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga miqtë e saj me të cilët kishte studiuar në Torino.

E dëgjoja kur fliste me babanë dhe i tregonte që e kishte refuzuar këtë mundësi, sepse dëshironte të punonte në vendin e saj në Shqipëri. Menjëherë në këtë kohë, me kthimin në Shqipëri, u emërua në Institutin e Shkencave që ishte institucioni më i lartë shkencor i atyre viteve, me drejtor Selaudin Toton dhe ku bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, profesor Zuber, (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri, etj.)

Në këtë kohë u largua nga banesa ku jetonte me ne dhe u shpërngul në një apartament më vete, për të qenë më e lirë për të punuar.

Pra duket se në këto vite të para të pasçlirimit, Sabiha Kasimati ka pasur një pozicion të vlerësuar në shkencën shqiptare. Si ndodhi që pozicioni i saj ndryshoi? Cila qe arsyeja?

Ç’është e vërteta, deri në vitet 1945-1946 duket se gjërat po shkonin mirë, por një fillim të viteve 1947-1948, lufta e klasave në vend nisi të ashpërsohej. Dhe ky ishte një qëndrim, me të cilin Sabihaja nuk u pajtua kurrë.

Gjërat u rënduan më tepër kur filloi të dënohej dhe të goditej elita e intelektualëve, një pjesë e të cilëve ishin shokët e saj. Sidomos pushkatimi i Selaudin Totos krijoi tek ajo një zhgënjim të madh dhe e bëri të krijonte një bindje tërësisht kundër regjimit komunist.

Shpesh vinte dhe bisedonte me babanë, duke u shprehur që të gjitha këto që po bëheshin ishin të padrejta dhe se shteti nuk mund të ndërtohej mbi vrasje dhe dhunë. “Kurrë nuk i kam besuar doktrinës komuniste, – shprehej ajo, – por tashmë po bindem se nuk isha gabuar!”.

Kishte një guxim të jashtëzakonshëm dhe i thoshte hapur mendimet. Për më tepër ajo njihej nga afër me Enver Hoxhën.

Ku ishte njohur Sabihaja me Enver Hoxhën dhe pse mendoni që ndëshkimi i saj do të vinte nga kjo njohje e hershme?

Kishin qenë në një klasë në Liceun e Korçës. E njihte mirë kapacitetin e tij intelektual dhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Kjo më ka bërë gjithmonë të besoj që Enver Hoxha personalisht kishte një arsye më tepër për të kërkuar eliminimin e saj.

Sigurisht qëndrimi i Sabihasë, që e fajësonte hapur ish-shokun e klasës për krimet që po kryheshin në vend, i krijoi diktatorit mundësinë që të gjente shkak për eliminimin e saj, e pse jo edhe ta përfshinte në veprimtari terroriste, ashtu siç veproi.

Të mbushje dosje në atë kohë, rezulton që nuk paska qenë edhe aq e vështirë, e sidomos për t’i nxirë ato ishte tepër e thjeshtë. Fare mirë në dosjen e saj mund të jetë shënuar edhe fakti se shoqëroi një gazetar laburist anglez që kishte ardhur për të vizituar vendin tonë, duke qenë se Sabihaja njihte disa gjuhë perëndimore.

Por më vonë, askush nuk i pengonte organet tona të inteligjencës që ta interpretonin këtë fakt si “veprimtari agjenturore”.

Më thatë më sipër se besonit që Enver Hoxha kishte një arsye më tepër për ta eliminuar hallën tuaj. Cila qe kjo arsye?

Gjithmonë kam menduar që Enveri i ruhej asaj. Dhe ky nuk është vetëm një hamendësim. Fakti që ajo dinte jo vetëm shkallën e tij intelektuale, për të cilën nuk kishte ndonjë konsideratë të veçantë, por edhe moralin e tij si njeri dhe si burrë, e përforcon këtë fakt. Ndonëse në praninë time halla rezervohej në bisedat rreth Enverit, kisha dëgjuar ndërsa bisedonte me tim atë se:

“Udhëheqësi nuk ishte ai që shfaqej. Se, nuk ishte dhe aq tipi i luftëtarit se sa tipi i Don Zhuanit, që nuk shquhej për ndonjë moral me vlera…”. E kishte njohur drejtuesin e vendit gjatë viteve të tij të rinisë, atëherë kur ishte edhe më e lehtë për të gabuar dhe me sa duket, rinia e Enverit kishte gjëra që duheshin fshehur.

Jo vetëm kaq. Enver Hoxha me shumë nga sjelljet amorale të viteve të liceut, kishte bërë një figurë jo të mirë edhe në mjediset e qytetit. Ishte kjo jetë tjetër e “udhëheqësit të lavdishëm”, për të cilën halla fliste shpesh në rrethet e afërta shoqërore dhe intelektuale.

Ndërkaq, më vonë ajo filloi të fliste hapur për Enver Hoxhën, duke e akuzuar si fajtorin kryesor për goditjet që po merrte elita shqiptare. Rebelimi i saj filloi sidomos pas pushkatimit të grupit të deputetëve…

Pra ju mendoni që vetë Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor dhe protagonisti që kërkonte eliminimin e Sabiha Kasimatit. Ju thoni që ai u trembej fakteve që njihte halla juaj nga rinia e tij, si është e mundur që duhej të priste deri në vitin 1951 për ta eliminuar?

Sepse së pari mendoj që duhej gjetur një shkak dhe së dyti, në Shqipëri pati një periudhë kur lufta e klasave njohu një lloj relaksi, sidomos pas rrëzimit të Koçi Xoxes dhe grupit të tij. Shkurti i vitit 1951 dhe bomba e vendosur në ambasadën sovjetike në Tiranë do të shënonin një moment të përshtatshëm për të dhënë një goditje tjetër të madhe. Dhe natyrisht pushkatimi i 22 personave brenda një nate ishte një mënyrë e mirë.

Si e kujtoni momentin e ndalimit dhe të pushkatimit të Sabiha Kasimatit?

Ju thashë që në ato vite ajo jetonte në një apartament më vete. Një natë pas shpërthimit që ndodhi në ambasadën sovjetike, ku ishin thyer disa xhama, në apartamentin e saj kishte qenë e ftuar një mikeshë.

Pikërisht atë mesnatë Sabihanë e kishin arrestuar. Të nesërmen në mëngjes shoqja e saj trokiti në shtëpinë tonë. Doli babai e pas tij edhe unë. “Mbrëmë kam qenë tek Sabihaja dhe atë e arrestuan”, – tha ajo.
Nuk dinte të thoshte asgjë më tepër. Askush nuk kish dhënë motivet e arrestimit. I kishin hedhur prangat dhe e kishin marrë në Degën e Brendshme, pa asnjë sqarim.

Si reagoi babai juaj, çfarë menduat në atë kohë?

Fillimisht besonim që mund të kishte qenë ndonjë ngatërresë dhe as mund të mendonim ndonjë motiv për të cilin ishte kryer arrestimi. Ato ditë u ndaluan më tepër se 300 persona për verifikime dhe për t’u marrë në pyetje, ndaj besuam që edhe Sabihaja mund të ishte një prej tyre, por kurrë nuk na e mori mendja që do të përfundonte deri në ekzekutim.

Ndërkohë nga ana tjetër diçka na linte të dyshonim: Nëna ime disa herë kishte shkuar në Degën e Brendshme për t’i çuar ushqime, por ushqimet ishin kthyer mbrapsht dhe veç kësaj, ne nuk arrinim të merrnim dot kontakte me të.

Megjithatë, në radhët e miqve që kishim po përpiqeshim të mësonim diçka më tepër se si ishte puna dhe çfarë mund të bënim për ta liruar. Shumë e vështirë të merrje vesh ndonjë të re. Atëherë gjyshja ime vendosi të shkonte dhe të takohej me Omer Nishanin, me të cilin njihej personalisht.

Por përgjigja e saj i zbehu shpresat dhe mendimin se kishte qenë një gabim. Fjala e Omerit kishte qene e prerë: “Nuk kam ç’të bëj. Ajo fliste shumë për komandantin!”. Atëherë e kuptuam se ku rrihte çekani. Gjërat ishin shumë më të thella nga sa dukeshin. Gjithçka ishte personale, nuk kishte pikë dyshimi.

Me sa duket zemërimi i Enver Hoxhës kishte arritur kulmin. Për më tepër, ai nuk mund të lejonte që një femër, ish-shoqja e tij e klasës, të fliste për të, të tregonte hapur gjithçka që dinte dhe të dilte kundër tij, duke e akuzuar poshtë e lart për gabime e faje, të vjetra e të reja.

Me këtë ndëshkim ai do të tregonte që ishte i fuqishëm dhe nuk duhej të dilnim kundër tij. Dua të shtoj, që për më tepër nuk mund të jetë aspak i rastësishëm fakti që pjesën më të madhe të atyre që u pushkatuan natën e 26 shkurtit të vitit 1951, Enver Hoxha i njihte personalisht.

Gjithsesi nuk u ndalëm. Ndoshta kishte ndonjë mundësi shpëtimi, që të paktën gjërat të zbuteshin. Menduam që të provonim një herë me xhaxhanë tim, i cili kishte studiuar së bashku me Omerin. Ndoshta ai do të arrinte të nxirrte ndonjë gjë në dritë. Të mësonte më saktësisht se si ishin punët dhe deri ku rrezikonte Sabihaja.

Ato ditë më kujtohet që xhaxhai po përpiqej të merrte kontaktet me ish-shokun e tij të shkollës për të lënë një takim. Por në këto përpjekje disa miq të afërm kishin mësuar se çfarë kishte ngjarë: Sabihanë e kishin pushkatuar së bashku me 21 persona të tjerë. Pra, nuk kishim ç’të bënim më tepër.

Gjithçka kishte marrë fund, brenda 2-3 ditëve. Sigurisht kohë e shkurtër për të pyetur dhe për të çuar drejt vdekjes 22 persona, megjithatë, kishte marrë fund.

A pati ndonjë njoftim zyrtar në media për këtë çështje? Po juve si familje, a ju dhanë sqarime për ngjarjen?

Asnjë sqarim. Asgjë publike. Ishin pushkatuar dhe kaq. Me një gjyq të zhvilluar në mungesë, nga sa morëm vesh vite më vonë, falë dekretit firmosur nga Omer Nishni, po ato ditë, në mos pas pushkatimit, ku lejohej të kryhej gjyqi në mungesë, për personat që akuzoheshin për veprimtari terroriste.

Vendim, për të cilin fqinji ynë i atëhershëm jurist u shpreh: “Ky vendim është një dëshpërim”. Dhe ky vendim i dëshpërueshëm, disa muaj më vonë u pasua nga fjala e Enver Hoxhës: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza”…

SHPËRNDAJE

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU