“Burri më rrahu pasi ndërrova kanalin e televizorit”

Dhuna

Një grua shqiptare ka dëshmuar në polici se bashkëshorti i saj, oficer policie, e ka dhunuar një natë para martesës, në Shën Valentinin e parë dhe po ashtu edhe gjatë muajit të mjaltit.

Herën e fundit që është bërë pre e dhunës, shkak është bërë vetëm fakti se ajo ka ndërruar kanalin e televizorit.

Pra episodi i fundit i dhunës ka pasur si shkak vetëm faktin se gruaja ka ndërruar kanalin e televizorit. Historia e rrallë ka ndodhur në Tiranë dhe pak ditë më parë, Gjykata e kryeqytetit ka pranuar kërkesën e 35­vjeçares R. E. për lëshimin e një urdhri mbrojtjeje nga bashkëshorti.

Në vendim, gjykata urdhëron të paditurin R. A. të mos qëndrojë në banesë dhe të mos i afrohet në një distancë më të afërt se 100 metra.

Historia
Në sallën e gjyqit, 35­vjeçarja ka shpjeguar se problemet e shumta në marrëdhënien e saj martesore janë shpeshtuar në muajt e parë pas martesës. Sipas saj, përveç mosmarrëveshjeve të përhershme, bashkëshorti ka ushtruar ndaj saj dhunë verbale, psikologjike dhe fizike.

Paditësja ka pretenduar se bashkëshorti i saj e ka dhunuar që një natë para martese, në Shën Valentinin e tyre të parë, si dhe gjatë muajit të mjaltit që kanë kaluar në Francë, ku, sipas saj, ai vazhdimisht flirtonte me femra të tjera.

Para gjyqtarit, paditësja ka theksuar se bashkëshorti i saj flet me një fjalor të papërshtatshëm, gjuhë që ajo thotë se nuk e meriton.

“Asnjëherë nuk kam dashur t’i jap fund lidhjes dhe kam bërë të pamundurën për ta mbajtur gjallë atë”, është shprehur 35­vjeçarja, që ka pretenduar se ishte ajo që i përballonte shpenzimet e jetës në çift.

Dhuna

Sipas 35­vjeçares, marrëdhënia në çift është përkeqësuar veçanërisht muajt e fundit, kur raporti ka degjeneruar në ushtrim dhune verbale, psikologjike dhe fizike nga ana e bashkëshortit të saj.

Ndonëse jetonin nën të njëjtën mbulesë, ajo pretendon se komunikimi mes tyre, ka munguar fare ose ka qenë në minimumin e mundshëm.

Paditësja ka rrëfyer se episodi i fundit datonte pak ditë para se ajo t’i drejtohej gjykatës.

“Pala paditëse shpjegon se ka qenë duke u marrë me punët e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshorti pinte cigare i shtrirë në divanin që ndodhet në kuzhinë. Pasi ka mbaruar punët e shtëpisë, me qëllim që të mos e bezdiste bashkëshortin e saj, i cili vazhdonte të ishte i shtrirë, paditësja është ulur në një karrige në cepin e tavolinës.

Sapo paditësja ka marrë telekomandën e televizorit për të ndërruar kanalin televiziv, bashkëshorti i saj është ngritur në këmbë dhe ka filluar të ushtronte dhunë psikologjike, duke përdorur një fjalor të papërshtatshëm”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Paditësja shpjegon se pavarësisht sjelljes së dhunshme të tij, për hir të dashurisë së saj për bashkëshortin, ajo e ka toleruar atë dhe asnjëherë nuk ka kërkuar të bëjë ekspertiza mjekoligjore për të dokumentuar shenjat e dhunës mbi trupin e sajë. /Panorama.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *